Konsorciumi WE-MIND përfundon punëtorinë për bashkëprojektimin e platformës online në ISCAP P. PORTO

Gusht 2026

Konsorciumi WE-MIND mori pjesë në një punëtori treditore të fokusuar në bashkëprojektimin e një platforme shumëgjuhëshe online për shëndetin mendor. Punëtoria u organizua nga Instituto Superior de Contabilidade e Administração do Porto (ISCAP), një nga tetë shkollat e Polytechnic Institute of Porto (P.PORTO), një prej institucioneve më të mëdha publike të arsimit të lartë në Portugali.

Punëtoria mblodhi së bashku stafin akademik dhe teknik, koordinatorët e projektit dhe studentët nga të katër institucionet partnere të WE-MIND në Ballkanin Perëndimor - RIT Kosovo, IBCM, SSST dhe UNSA. Si Milestone 6 e WP3, punëtoria u përqendrua në përcaktimin e përbashkët të përmbajtjes, funksionaliteteve, kërkesave për qasshmëri dhe parimeve të përvojës së përdoruesit për një platformë shumëgjuhëshe të shëndetit mendor, e cila do t’u shërbejë studentëve në të katër institucionet.

Gjatë punëtorisë, ekipi i ekspertëve nga ISCAP P.PORTO - Dr. Sara de Sousa, Dr. Isabel Ardions, Dr. Ana Cláudia Rodrigues, Dr. Paula Carvalho dhe Dr. Raquel Simões de Almeida - i udhëzoi institucionet partnere të Ballkanit Perëndimor në zhvillimin e një platforme praktike, të dobishme dhe të lehtë për t’u përdorur nga studentët. Së bashku, ato sollën ekspertizë në shëndetin mendor dhe rehabilitimin psikosocial, shëndetin digjital dhe teknologjitë e reja në kujdesin shëndetësor, inovacionin në arsim si dhe qasjet pjesëmarrëse. Udhëzimet e tyre i ndihmuan partnerët që gjetjet e vlerësimeve të nevojave të realizuara në të katër institucionet, së bashku me paketën e mjeteve për shëndetin mendor të zhvilluar gjatë punëtorisë së WE-MIND në Vjenë, t’i shndërrojnë në përparësi të qarta dhe ide praktike për projektimin e platformës.

Përmes diskutimeve bashkëpunuese, krahasimit të platformave ekzistuese, aktiviteteve World Café dhe sesioneve të projektimit në grupe, pjesëmarrësit identifikuan nevojat kryesore të studentëve, përcaktuan përparësitë e funksioneve të platformës dhe përkufizuan kërkesa të rëndësishme funksionale dhe jofunksionale. Ata gjithashtu zhvilluan dhe shqyrtuan modelet e para, të cilat tregojnë se si studentët mund të kenë qasje në informacione, burime, programe dhe mbështetje për shëndetin mendor përmes platformës.

Ashtu si në punëtorinë në Vjenë, studentët nga të katër institucionet partnere të Ballkanit Perëndimor luajtën një rol thelbësor në procesin e bashkëprojektimit. Perspektivat e tyre ndikuan drejtpërdrejt në përparësitë dhe konceptet e projektimit të platformës. Pjesëmarrja e studentëve është në qendër të qasjes nga poshtë-lart të WE-MIND, ku aktivitetet dhe rezultatet e projektit zhvillohen jo vetëm për studentët, por edhe së bashku me ta. Kontributet e tyre kanë qenë pjesë e rëndësishme e të gjitha aktiviteteve të WE-MIND të realizuara deri më tani.

Përfundimi i punëtorisë në Porto i siguroi konsorciumit përparësi të dakorduara, kërkesa për platformën dhe koncepte fillestare të projektimit, të cilat do ta udhëheqin fazën e ardhshme të zhvillimit. Punëtoria e çoi projektin nga vlerësimi i nevojave dhe zhvillimi i paketës së mjeteve drejt krijimit praktik të një platforme online për shëndetin mendor që është e qasshme, shumëgjuhëshe dhe e përqendruar te studentët.

Institucionet partnere të WE-MIND nga Ballkani Perëndimor i janë mirënjohëse ekipit të Instituto Superior de Contabilidade e Administração do Porto (ISCAP), P. PORTO për mikpritjen e ngrohtë, organizimin e shkëlqyer, udhëzimin profesional dhe kontributin e vlefshëm në përfundimin me sukses të kësaj pikëarritjeje të rëndësishme të projektit.

Co-funded by the European Union. Views and opinions expressed are however those of the author(s) only and do not necessarily reflect those of the European Union or the European Education and Culture Executive Agency (EACEA). Neither the European Union nor the granting authority can be held responsible for them.

Follow Us On Social Media!